Kapiteni bardhezi ka arritur në kuotën e 301 të dielën ndaj Sienës: Dua të jem gjithnjë i pari
Si diamantët, golat e Alesandro Del Pieros do t’u lihen trashëgim tifozëve bardhezi dhe tifozëve të futbollit. Gurë të fortë, perla të çmuara që as koha nuk do të arrijë t’i cënojë. Diamantët e koleksionuar nga “Pinturikio” arritën në kuotën 301. Shumë, por jo akoma të mjaftueshëm për kapitenin bardhezi, në ndjekje të podiumit, i vetmi rekord që i mungon akoma. Koha, pavarësisht 35 viteve, është nga ana e tij: akoma edhe një vit kontratë, e mjaftueshme për të arritur Roberto Baxhion, i treti me 319 gola, pas Meacës (338) dhe të paarritshmit Piola (364).
Ky i fundit ka filluar të shënojë shumë i ri (13 gola kur ka qenë vetëm 17 vjeç me Pro Verçelin), por ka filluar të shënojë shpejt edhe Del Piero, tani protagonist në një futboll tjetër “në 10-vjeçarin e fundit futbolli ka qenë më shumë fizik, më muskulor, më i shpejtë”, siç ka pranuar vetë “Pinturikio”. I cili të dielën në mëngjes është kthyer të stërvitet në Vinovo në prag të ndeshjes së kthimit në Ligën e Europës me Fulhemin, pasi ka festuar me familjarët dhe shokët e tij rekordin e fundit.
“Festa zgjati pak, sepse shpresoja ta celebroja këtë arritje me një fitore. Kam thënë shpesh se goli, edhe pse shumë i rëndësishëm për një sulmues, nuk vlen në të njëjtën mënyrë nëse më pas skuadra nuk merr tre pikët. Për fat të keq avantazhi që kemi krijuar në fillim pas një nisjeje të shkëlqyer të ndeshjes është çuar dëm për shkak të përmbysjes së rezultatit të Sienës. Dhe duhet të flasim për gabimet tona dhe për një rast të humbur”.
TOBIASIT - “Duke iu rikthyer golave të mi, për një moment pa menduar për atë që ka ndodhur më pas, duhet të them se ka qenë një gjë e bukur kur kam ngritur sytë nga tribuna dhe kam parë Sonian me djalin tim Tobias që festonin me miqtë e mi. Idea e fanellës me numrin 300 ka qenë një surprizë e bukur, për të mos folur për 301-in të stampuar mbrapa: një surprizë e bukur. Në 17 vjet, nga goli i parë me fanellën e Padovas nuk ka ndryshuar dëshira ime për t’u përmirësuar, për të fituar dhe për të qenë i pari”.
GOLAT ME TE BUKUR - Galeria e artit e Alesandro Del Pieros është e mbushur me perla, e vështirë, për vetë “artistin”, të zgjedhë veprat më të çmuara, ndaj të cilave është më i lidhur. Njëra mbi të gjitha mban datën e 4 dhjetorit ‘94, Juventus-Fiorentina. Një goditje fluturimthi me të djathtën, goli vendimtar (3-2), i rëndësishëm për ta mbajtur skuadrën vjollcë larg në renditje. Goli i parë me bardhezinjtë tashmë është një kujtim i zbehur si përqafimi me “ushtarin” Di Livio.
Gola të errësuar nga një hije trishtimi ata të shënuar në 2001-in dhe 2003-in pak orë pas humbjes së babait në fillim, goli kundër Barit dhe të Xhiovani Anjelit, goli kundër Piaçencës më 26 janar 2003. “Pak ditë para vdekjes Avokati më mori në telefon për të më uruar për golin që shënova ndaj Selltikut. Ishte telefonata e fundit, - kujton Del Piero. - Merrte gjithmonë në orët e para të mëngjesit, më thoshte: “Del Piero, jeni zgjuar?”.
Dhe unë me zërin e atij që sapo zgjohej nga zilja e telefonit, përgjigjesha: “Sigurisht Avokat, mirëmëngjes”. Një herë mora kurajo dhe i thashë: “Jo Avokat, po flija”. Dhe ai, pa e prishur terezinë: “Mirë, atëherë është momenti që të zgjoheni dhe që të shkoni të stërviteni!”. Jam i lumtur që kam mundur t’i dedikoj, dy ditë pas lamtumirës, një nga golat më të bukura të karrierës, besoj se do t’i kishte pëlqyer shumë”, ka përfunduar Del Piero.
Wednesday, March 17, 2010
Subscribe to:
Post Comments (Atom)
No comments:
Post a Comment